Julian Assange e shfrytëzoi ambasadën e Ekuadorit në Londër si qendër përgjimi. Në një intervistë për “The Guardian”, presidenti i Ekuadorit Lenin Moreno tha se asnjë vend tjetër nuk kishte ndikuar në vendimin për t’i hequr mbrojtjen diplomatike themeluesit të Wikileaks.
Assange brenda në ambasadën e Ekuadorit në Londër
“Jemi penduar që lejuam Assange të përdorë ambasadën tonë për të ndërhyrë në demokracitë e vendeve të tjera”, ishin fjalët e Morenos.
“Çdo përpjekje për të destabilizuar është një akt i dënueshëm për Ekuadorin, sepse ne jemi një komb sovran dhe i respektueshëm. Ne nuk mund të lejojmë që shtëpia jonë, shtëpia e cila hapi dyert, të bëhet qendër për spiunazh”, tha Lenin Moreno.
Avokatët e Assange i mohojnë akuzat dhe i cilësojnë pretendimet si skandaloze. Presidenti Moreno, që erdhi në pushtet në 2017-tën, përmendi gjithashtu higjienën e keqe të 47-vjecarit. Julian Assange përballet me rrezikun e 12 muajve heqje lirie pasi u shpall fajtor për shkelje të lirisë më kusht kur hyri në ambasadën e Ekuadorit në Londër në vitin 2012.
Ai kërkoi strehim diplomatik pasi humbi betejën për ekstradimin në Suedi ku përballej më akuzën e sulmeve seksuale. Australiani do të luftojë tani kundër ekstradimit në SHBA, ku akuzohet se ka konspiruar me një ish-analist të ushtrisë amerikane për vjedhjen e dokumenteve të klasifikuara. (A2 Televizion)