Pentagoni: ISIS-K përgatit sulme të tjera në Kabul

Nga A2 CNN
27 Gusht 2021, 20:00 | Bota
Pentagoni: ISIS-K përgatit sulme të tjera në Kabul

Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmërojnë sulme të tjera në aeroportin kryesor të Afganistanit, të ngjashme me ato të regjistruara gjatë të enjtes.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se bilanci i viktimave ka shkuar mbi 170, mes tyre civilë afganë, 13 anëtarë të ushtrisë amerikane dhe 3 të misionit britanik, përfshirë një fëmijë. Fillimisht, u raportua për dy shpërthime, por ndodhi vetëm një i tillë. Pentagoni është i bindur se pas tij qëndron grupi terrorist ISIS-K dhe premton se nuk do të lejojë përsëritjen e sulmeve.

https://a2news.com/2021/08/27/shperthimet-ne-kabul-90-viktima-mes-tyre-13-amerikane/

John Kirby, zëdhënës i Pentagonit, u shpreh: “Dukshëm ata janë një kërcënim terrorist serioz. Mendoj se kërcënimi është real dhe askush nuk dëshiron që të shohë atë kërcënim të shtohet”.

Pentagoni tha se një total prej 111 mijë personash janë evakuuar nga Afganistani që pas marrjes së kontrollit nga talebanët. Rreth 5400 janë në pritje të largimit nga aeroporti i Kabulit dhe qeveria amerikane premton se operacionet do të vijojnë deri në momentet e fundit të datës 31 gusht.

Gjermania pranon dështimin e saj në evakuimin e personelit të misionit me shtetësi afgane: “Kjo prek jetët njerëzore, personat që dëshironim t’i merrnim, por dështuam t’i ofronim siguri, edhe pse jemi një ndër vendet më të pasura të botës. Kur shikoni se sa shumë kohë dhe energji shpenzuam në këtë mision dhe në fund dështuam të lëshonim viza për 2 mijë njerëz, kjo më lë mua pa fjalë”.

Pavarësisht kërcënimit serioz për sulm kamikaz, afganët kërkojnë ende me dëshpërim që të largohen nga vendi. Të shumtë në numër vijojnë t’i drejtohen aeroportit të Kabulit, edhe pse talebanët kanë ngritur postoblloqe për t’i ndaluar të arrijnë në destinacion. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos