Edmond Stojku, përfaqësues i grupit Demokraci dhe Drejtësi në opozitën parlamentare, sulmoi Lefter Maliqin në “Dita jonë” në A2.
Numri i votave pro Kodit Zgjedhor në favor të mazhorancës u rrit edhe me 11 vota të tjera, pas daljes publike të një grupi tjetër të opozitës parlamentare. Dje, Lefter Maliqi konfirmoi votën pro kodit, madje thotë se numri i atyre që do të votojnë pro tij në parlament i kalon 84 votat.
Por, Stojku tha: “Për të folur për shifrat, do të presim ditën e votimit. Për të folur përpara për shifrat, zotin Maliqi nuk e pengon askush, pasi ai është rasti i vetëm në botën demokratike që gëzon një pozicion të caktuar në Parlament pasi ka qenë në listat e PD-së dhe ka bërë fushatë për zotin Edi Rama në zgjedhjet e vitit 2017. Ai nuk ka dhënë votën as për veten e vet. Unë nuk besoj dot një njeri që është i pabesueshëm dhe si deputet në Parlament. Partia Socialiste ka 75 deputetë të saj dhe i duhen 9 vota për të arritur 84”.
Sipas Stojkut, “trafikimi i votës dhe shitblerja e votës janë një nga turpet e historisë demokratike të vendit. Është e paimagjinueshme të ndodhin këto fenomene dhe kanë agravuar me kalimin e viteve”.
Kur u pyet për deklaratat e Yuri Kim në A2, e cila vlerësoi opozitën parlamentare për rolin e saj, por duke shtuar se ka një kohë për të marrë pak dhe ka një kohë për të kërkuar më tepër më tej, Stojku tha: “Ne i kemi shprehur ambasadores se jemi gati për çdo metodikë konsensuale mes palëve, por kur nuk na konsiderojnë palë, me kë do të diskutojmë? Rama më në fund e pranoi se jemi 3 palë dhe zgjidhja duhet mbështetur mbi këtë fakt të pranuar”. (A2 Televizion)