
Një anije “Royal Karaibe” është kthyer në Singapor në ditën e tretë të një "lundrimi në askund", pasi një pasagjer rezultoi pozitiv me Covid-19.
"Lundrimet në askund" të qytet-shtetit nisën muajin e kaluar, duke filluar dhe përfunduar në të njëjtin port pa ndalesa, në një përpjekje për të ringjallur industrinë e goditur rëndë të lundrimit, për shkak të bllokimit global, pasi anijet panë shpërthime të mëdha në fillim të pandemisë.
Lundrimet e veçanta të Singaporit janë të hapura vetëm për banorët e tij. Anija e lundrimit “Royal Karaibe” e “Quantum of the Seas” u largua nga Singapori të hënën në një udhëtim 4-ditor si pjesë e një skeme, "lundrimi të sigurt", të njoftuar nga bordi i turizmit në vend.
Kompania e lundrimit tha se e kishte kthyer anijen, sepse një pasagjer 83-vjeçar nga Singapori rezultoi pozitiv me koronavirus, pasi u kontrollua nga ekipi mjekësor i bordit.
"Ne identifikuam dhe izoluam të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhin që kishin kontakte të ngushta me të dhe secili prej atyre individëve më pas ka rezultuar negativ me virusin", tha kompania në një deklaratë.
Firma shtoi se udhëtarët do të lejohen të zbresin "pasi të ketë përfunduar një rishikim i gjurmimit të kontaktit".
Sipas “The Straits Times”, një gazetë e përditshme e Singaporit, në bord kishte 1680 të ftuar dhe 1448 anëtarë të ekuipazhit.
Një mori masash sigurie u futën për pasagjerët në lundrimet speciale për askund, duke përfshirë testet Covid-19 para hipjes dhe pas zbritjes. Anijet po lundronin me gjysmën e kapacitetit të tyre të zakonshëm për shkak të distancës së sigurt.
Industria e lundrimit u godit në pandemi, kur virusi për herë të parë përfshiu “Diamond Princess” në Japoni dhe më pas “Grand Princess” në SHBA, duke karantinuar pasagjerët në det, pasi qindra vetë e morën virusin në bord.
“Royal Karaibe” ka thënë se një tjetër lundrim është planifikuar të nisë të enjten. (A2 Televizion)