
Tre skuadra pretendente të Kategorisë Superiore kanë nisur përgatitjet në Antalia. Tirana, Partizani dhe Kukësi po zhvillojnë fazën përgatitore në tokën turke, duke shfrytëzuar kushtet e mira për të rikuperuar forcat për gjysmën e dytë të sezonit.
Një avantazh përbëjnë edhe miqësoret. Kukësi zbret i pari në fushë, me miqësoren e kësaj të marte ndaj Trabzonsporit. Më 11 janar, verilindorët luajnë me Malatyaspor, ndërsa testi i fundit është ai i datës 15 ndaj rumunëve të Politeknika Iasi.
Te Tirana, trajneri i konfirmuar Emanuel Egbo do të ketë tre teste në dispozicion, ku do të përballet me Alanyasporin në datën 8, tre ditë më pas luhet testi me hungarezët e Mezokovezdi dhe më 15 janar miqësorja me polakët e Korona Kielce.
Me trajnerin Adolfo Sormani të rikthyer edhe Partizani nisi përgatitjet në Antalia, ku gjatë 12 ditëve të qëndrimit janë planifikuar dy miqësore, ndaj Trabzonsporit më 10 janar dhe me hungarezët e Budapest Honved në datën 15.
Nga skuadrat e tjera të Superiores, e vetmja që do të përgatitet jashtë është Vllaznia. Shkodranët kanë nisur stërvitjen dhe këtë të mërkurë do të spostohen në Ohër. Skuadra e trajnerit Jonuz ka planifikuar tre teste me Pogradecin, Strugën dhe Bylisin, ndërsa gjatë kësaj periudhe priten edhe disa lojtarë në provë.
Merkato e janarit do të sjellë lëvizje të shumta në Vlorë. Marcello Trosi kthehet në Shqipëri për të marrë drejtimin e Flamurtarit. Braziliani e konfirmoi paraqitjen në qytetin bregdetar me një video të postuar, ndërsa pas zyrtarizimit do të afrojë në skuadër disa lojtarë, kryesisht të huaj.
Pas aventurave te Kukësi, Turbina e Laçi, Troisi do të provojë mrekullinë te Flamurtari, ku ka premtuar 10 afrime nga Brazili e Afrika, pavarësisht rregullit që kufizon numrin e lojtarëve të huaj. (A2 Televizion)