Ashtu si në të gjithë vijën bregdetare të vendit, edhe Shëngjini, po përgatitet për sezonin veror i cili ndryshe nga vitet e tjera kësaj radhë është mjaft i vonuar.
Hotelet dhe restorantet prej ditësh kanë hapur dyert, por siç mund të shikohet edhe nga pamjet mungojnë vizitorët.
Investimet dhe përgatitjet e subjekteve akomoduese dhe atyre të shërbimit pranë bregdetit të Shëngjinit deri më tani nuk janë përkthyer në të ardhura. Pandemia duket se paralajmëron një sezon të vështirë nga ana ekonomike.
Në këtë pikë, bashkia e Lezhës në dallim nga të gjitha bashkitë e tjera të vendit ka marrë vendime për uljen në maksimum të taksave vendore për t’i ardhur sado pak në ndihmë bizneseve në bregdet.

“Përveç taksave 30% , limiti që ”nuk mund të ulet më, ne jemi e vetmja Bashki që kemi ulje taksash. Kemi verifikuar të paktën 2000 biznese që nuk paguajnë taksat, nuk e njohin Bashkinë. Kemi ulur taksat që të zgjerojmë bazën e taksapaguesve”, thotë kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu.
Me shpresën se vizitorët nga Kosova nuk do ta tradhtojnë edhe në këtë vit të vështirë Shëngjinin, subjektet vazhdojnë të presin me dyert e hapura. (A2 Televizion)