
Për analistin Dritan Shano, përplasja që po ndodh në Partinë Demokratike mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës nuk po bëhet për parime, por për pushtet.
Shano deklaron se Basha është një krijim i Berishës, ndërsa shton se të dy përfaqësojnë një pakicë në PD. Ai iu bën thirrje demokratëve që të shohin një të ardhme të partinë pa këta dy njerëz.
“Unë mendoj që sherri Berisha-Basha është një sherr krevati, ku njëri ka rrëzuar tjetrin. Basha është një krijim i Berishës, më kujtojnë Xhepeton dhe Pinokun. Ato që thotë Berisha sot i ka të huazuara nga një prej kandidatëve në garën për kreun e PD, i cili është Fatbardh Kadilli. Propozimet e Kadillit gjejnë veshët e demokratëve nga goja e Berishës. Kjo është hera e parë në PD ku vula gjendet diku tjetër dhe pushteti i prezumuar diku tjetër. Është përplasje mes dy pakicave, të cilat dominojnë njëra memorien dhe tjetra burokracinë e PD. I ftoj demokratët të shohin një të ardhmen pa këta dy njerëz. Kjo që po i ndodh PD mund të ishte kursyer nga të dy me institucionin e dorëheqjes”, deklaroi Shano në Absolut 4. (A2 Televizion)