Pronari i një lokali në Laç së bashku me kamarierin e tij kishin përshtatur lokalin për shitjen në doza të lëndës narkotike cannabis sativa, si dhe për lojëra me kompjutera nga të mitur dhe të rinj. Dy të rinjtë e moshës 25 vjeç dhe 22 vjeç u arrestuan nga policia pas një hetimi 6-mijor, si dhe u sekuestruan një sasi lënde narkotike cannabis sativa e ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje.
Njoftimi i Policisë Laç
Në bazë të informacioneve të siguruara për përshtatjen e një lokali në Laç, për shitje të lëndës narkotike cannabis sativa në doza, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë iniciuan një procedim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për arrestimin e shtetasve përgjegjës.
Si rezultat i hetimeve intensive, të kryera me metoda proaktive, për një periudhë 6-mujore, nga struktura hetimore e hetimit të narkotikëve në mbështetje edhe nga Forca e Posaçme "Shqiponja" pranë DVP Lezhë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Ndërthurja", si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. Gj., 25 vjeç dhe G. S., 22 vjeç, të dy banues në Laç.
Gjatë kontrolleve në lokalin në pronësi të 25-vjeçarit dhe ku punonte kamerier shtetasi G. S., në lagjen nr. 3, Laç, lokal i përshtatur nga këta shtetas me kompjutera me lojëra për të mitur dhe të rinj, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa e ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

