
Partia Demokratike kujton sot përvjetorin e saj, që i solli fund sistemit monist në Shqipëri. Ndër të parët që folën në eventin e organizuar ishte nënkryetari i saj, Oerd Bykykbashi.
“32 vite më parë unë kam qenë gjimnazist 16 vjeçar. Na erdhi lajmi se më 8 dhjetor ishin rebeluar studentët. Shkruam në tabelë “Solidarizohemi me studentët!” dhe ishim gjithë pasion e besim, por kishim zili shokët tanë që kishin filluar studimet universitare e na sillnin lajme nga Qyteti Studenti. Kur erdhi lajmi se ishte themeluar PD, ngazëllimi ishte i madh, por ndoshta nuk e kuptuam dimensionin plotë të atij akti”, kujtoi atë ditë të shënuar Bylykbashi.
Bylykbashi bëri një paralelizëm midis dhjetorit të vitit 1990 me situatën e sotme. “Ja ku jemi sot 32 vite më pas dhe ajo që u arrit atëherë është në rrezik serioz. Në demokraci nuk ka nevojë për shumë vija të kuqe. Mjaftojnë dy: zgjedhjet e lira e të ndershme dhe pluralizmi. Edi Rama në këto 9 vite e ka shkelur vijën e kuqe të zgjedhjeve pa u ndëshkuar. Në 2021 ODIHR tha se zgjedhjet nuk ishin as të lira e as të fshehta. PD tha fjalë por nuk veproi.
Sipas tij, “prej më shumë se një viti Edi Rama ka vënë në shënjestër vijën e fundit që na ndan nga diktatura, pluralizmin. Po përdor padinë e paligjshme që disa individë, që nuk duan të njohin votën e anëtarësisë dhe vullnetin e saj, ia kanë ngulur PD-së në trup. Po përdor gjykatën për të mbajtur peng regjistrimin në zgjedhje të PD dhe kandidatëve që u zgjodhën në primare nga 55.000 anëtarë dhe simpatizantë në një proces pa precedent.
Bylykbashi iu referua edhe sulmit ndaj liderit Berisha nga Gert Shehu, si “nuk ishte sulm kundër Sali Berishës, por kundër PD, kundër çdo demokrati e kundër opozitës. Ishte agresion mbi pluralizmin”. (A2 Televizion)