
Në urgjencën e Spitalit të Traumës janë paraqitur për të marrë ndihmën e parë 2 protestues dhe 3 efektivë policie.
Mësohet se dy protestuesit janë lënduar nga pistoletat e përdorura për të lëshuar gazin lotsjellës në drejtim të turmës. Ata ndodhen në një gjendje të agravuar me shikimin dhe shfaqin vështirësi në frymëmarrje.
Ndërkohë, nga radhët e policisë, bëhet fjalë për lëndime gjatë përpjekjes së protestuesve për të çarë kordonin rrethues të forcave të rendit. Si pasojë e goditjeve me gurë dhe sende të tjera të forta, punonjësit e Policisë kanë pësuar lëndime në kokë dhe në gju.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka kryer një vizitë në Spitalin e Traumës, për të parë gjendjen e tyre.
Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme kanë dënuar dhunën mbi punonjësit e Policisë, ndërsa deklarata kanë ardhur edhe nga selia e Partisë Demokratike mbi dëmtimin e protestuesve. (A2 Televizion)