
Bashkitë kanë rinisur tenderimet pas vendimit të Qeverisë për pezullimin e tyre. Pas zgjedhjeve të 30 Qershorit, pushtetit vendor i është dhënë drita jeshile për të kryer procedurat e prokurimit, pas një bllokimi thuajse dymujor.
Bashkitë e kishin quajtur moratoriumin e vendosur nga qeveria si antikushtetues, teksa kjo e fundit kërkonte të evitonte abuzimet me tenderat në prag të zgjedhjeve.
Vetëm për 5 muajt e parë të vitit, 61 bashkitë e vendit kishin shpallur 15.8 miliardë lekë procedura, rreth 60% më shumë se një vit më parë. Sipas të dhënave të Open Data Albania, nga mbi 2500 tendera të shpallura, 12% ishin shënjuar me flamur të kuq, për shkak të risqeve të larta, parregullsive dhe problematikave në garë.
Pas 1 korrikut, bashkitë kanë shpallur mbi 100 tendera me vlerë rreth 500 milionë lekë, kryesisht për shpenzime operative, por edhe për investime në rikonstruksione shkollash e godinash të tjera.
Ndërkohë, gjatë kësaj kohe, pushteti vendor ka pasur një performancë më të dobët në mbledhjen e të ardhurave, veçanërisht nga taksa mbi pasurinë dhe ajo mbi biznesin e vogël, në kontrast nga muajt e parë të vitit kur kishte një mbi realizim të planit. Megjithëse, në këtë llogari ndikon edhe taksa e re mbi pronën, që hyri në fuqi nga 1 prilli 2018. (A2 Televizion)