Pezullohet parlamenti britanik, ligjvënësit refuzojnë sërish zgjedhjet e parakohshme

Nga A2 CNN
10 Shtator 2019, 09:58 | Bota
Pezullohet parlamenti britanik, ligjvënësit refuzojnë sërish

Boris Johnson mori një tjetër jo të prerë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 15 tetor. Për herë të dytë ligjvënësit votuan kundër kërkesës së kryeministrit, në ditën kur nisi periudha 5 javore e pezullimit të parlamentit. Në total 293 deputetë mbështetën mocionin e Johnson, shumë më pak nga sa nevojitej.

Më herët, opozita konfirmoi se nuk do ta mbështeste mbajtjen e zgjedhjeve në muajin tetor, me pretendimin se më parë duhet të implementohet një ligj që parandalon Brexit pa ujdi.

“Unë nuk i dua zgjedhjet, por kam pranuar realitetin se ato janë e vetmja mënyrë për të zgjidhur ngërcin e për t’i shërbyer interesit kombëtar. Ato mund t’i japing kryeministrit mandatin më të fortë të mundshëm për të negociuar me Brukselin”, deklaroi Johnson

31 tetori është data kur Britania pritet të shkëputet nga unioni, pavarësisht faktit nëse një marrëveshje është arritur ose jo me Brukselin. Por një pr.ligj i ri që mori mbështetjen e dy dhomave të parlamentit, kërkon shtyrje të afatit deri më 31 janar të 2020-s nëse ujdia nuk arrihet. Parlamenti u pezullua zyrtarisht në orën 02:00 të së martës dhe do të rinisë punimet më 14 tetor, pak më shumë se dy javë para skadimit të afatit të Brexit.  Një grup laburistësh protestuan kundër kësaj mase, duke mbajtur në duar pankarta me fjalën ‘të heshtur’.  Kryetari i Dhomës së Komunëve, John Bercow njoftoi dorëheqjen, pikërisht ndërsa pritej të drejtonte parlamentarët në procesin drejt dhomës së lordëve, për të shënuar pezullimin e parlamentit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos