
Kuvendi i Shqipërisë e konsideron histori suksesi miratimin e reformës në drejtësi, por për vonesën në jetësimin e plotë të saj, institucionet kanë filluar të fajësojnë njëra-tjetrën.
A2 disponon një raport të Parlamentit i cili ka analizuar nivelin e zbatimit të rekomandimeve që i kanë dhënë institucioneve të pavarura, mes të cilave është edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Pikërisht në këto rekomandime duket se fillon edhe ping-pongu i fajit se përse situata në sistemin gjyqësor nuk është aty ku duhet.
“Nga 10 rekomandime të adresuara nga Kuvendi i Shqipërisë, janë realizuar plotësisht 3, ndërsa 7 rekomandime janë në proces realizimi”
Në tre rekomandime Kuvendi kërkon nga KLGJ marrjen e masave për uljen e numrit të stokut të çështjeve, por qeveria e gjyqësorit e ka gjetur fajtorin te ekzekutivi.
“Për shkak të zvarritjes së miratimit të hartës gjyqësore nga Ministria e Drejtësisë, një sërë aktesh që lidhen me administrimin e çështjeve në gjykatë, të cilat ndikojnë në përmirësimin e eficencës në së sistemit gjyqësor, janë ende në proces”
Krahas kësaj, parlamentarët kërkuan nga qeveria e gjyqësorit hapjen e garës për të gjitha vakancat në Gjykatën e lartë. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Vetë KLGJ shprehet se aktualisht KLGJ-ja po vijon punën me ngritjen në detyrë për 2 pozicione të lira nga 16 vakanca që ka në total. (A2 Televizion)