Platformë për dëmet nga tërmeti, Ahmetaj, thirrje qytetarëve: Aplikoni menjëherë

Nga A2 CNN
6 Janar 2020, 16:07 | Politikë
Platformë për dëmet nga tërmeti, Ahmetaj, thirrje

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, doli në një deklaratë për mediat këtë të hënë, duke bërë të ditur se brenda 15, maksimumi 20 ditëve, bashkitë do të kenë të përcaktuar zonën se ku do të ndërtohen qytezat e reja për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Procesi konkret ka filluar që ditën e tërmetit, ka vazhduar me akomodimin e të gjithë qytetarëve që humbën shtëpitë e tyre. Në 2 janar, kryeministri ka kërkuar nga bashkitë në zonën e emergjencës, të gjithë kryetarëve të bashkive të fillojnë procesin ligjor të përcaktimit të tokave ku do të ndërtohen qytezat urbane. Brenda 20 ditëve do të kemi të përcaktuar në të gjithë territorin të tokave ku do të ndërtohen banesat individuale apo edhe qytezat urbane”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj theksoi se sot janë marrë disa vendime të rëndësishme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në lidhje me programin e rindërtimit. Ai shtoi se ditën e martë do të hapet platforma ku qytetarët duhet të bëjnë aplikimin nëse kanë pësuar dëme nga tërmeti.

“Sot kemi kaluar vendime për përcaktimin e rregullave, masën e shpenzimit që kompensohen autoriteteve përgjegjëse të qytetarëve që do përfitojnë. Për herë të parë në 30 vite që hartohet një ligj i posaçëm në përgjigje të emergjencës. Kryetarët e Bashkive duhet të bëjnë të gjithë listën ligjore të familjeve që kanë humbur shtëpitë, si dhe banesat e dëmtuara. Kryetarët e bashkive, duke filluar nga nesër, do të duhet që të ngrenë menjëherë një platformë aplikimi për qytetarët që kanë pësuar dëme nga tërmeti. Aplikimi do të jetë shumë i thjeshtë. I lutem të gjitha familjeve që janë dëmtuar, menjëhershme me hapjen e platformës të aplikojnë në bashkitë përkatëse. Më pas, Bashkitë dhe Këshilli i Ministrave do të hartojnë politikat dhe do të financojnë projektet”, tha Ahmetaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos