
Policia dhe karabinierët do të rrisin patrullimet pranë shtëpisë së trajnerit të Inter-it Antonio Conte, por edhe në zyrat e klubit ku ai punon, pasi një zarf me një plumb brenda ka mbërritur në adresë të tij.
Sipas “Corriere della Sera”, ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, kur një letër anonime mbërriti në zyrën e tij. Menjëherë janë vënë në lëvizje forcat e rendit. Edhe pse këto lloj kërcënimesh nuk pështjellohen thuajse asnjëherë, policia ka vendosur të shtojë sigurinë.
Deri tani hetimet nuk kanë arritur të krijojnë një pistë të qartë, nëse kërcënimi ka ardhur nga ndonjë person i veçantë, ndonjë organizatë kriminale, apo ndonjë grup tifozësh i organizuar. (A2 Televizion)