
“Perëndimi i ka kthyer sytë nga Moldavia dhe synon ta shndërrojë atë në një Ukrainë të re”. Kështu pretendon ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një intervistë për median “RIA Novosti”, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara se të njëjtën strategji po e ndjekin edhe me një vend tjetër.
“Nuk kam asnjë dyshim se ata dëshirojnë të kthejnë Gjeorgjinë në një shtet të irrituar dhe të kthejnë situatën në kohët agresive të periudhës së Saakashvilit. Gjithashtu, po mendojnë Moldavinë për një rol në projektin kundër Rusisë. Para së gjithash, ata ia dolën të vendosnin në krye të shtetit, duke përdorur disa metoda specifike që nuk janë demokratike dhe të lira, një president që kërkon t’i bashkohet NATO-s, i cili ka shtetësi rumune dhe është gati të bashkojë Moldavinë me Rumaninë, si dhe është i gatshëm të bëjë thuajse gjithçka.”
Sergei Lavrov për RIA Novosti
Komentoi edhe ndihmat ushtarake perëndimore për Ukrainën, duke thënë se “NATO është në luftë me Rusinë”. Gjithashtu nuk ngurroi të lëshonte një kërcënim.
“Nëse ne tani po ia dalim të zmbrapsim artilerinë e ushtrisë ukrainase në një distancë ku nuk mund të kërcënojë territoret tona, atëherë sa më e gjatë të jetë rrezja e veprimit e armëve që do të marrë Kievi, më e madhe do të jetë nevoja për t’i shtyrë pas nga territori që është pjesë e shtetit tonë.”
Sipas Lavrov, NATO do të furnizojë Ukrainën edhe me mercenarë e ushtarë, përveç sistemeve të reja të armëve.
Kryediplomati dhe krahu i djathtë i Putinit vijoi me akuzat e tij kundër perëndimit, duke pretenduar se “perëndimi po kërkon të eliminojë botën ruse” për dekada të tëra. (A2 Televizion)