
Ushtria ruse po përparon drejt Kramatorsk pranë Bakhmut në rajonin e Doneskut. Këtë e dëshmon gazetari i A2 CNN, Jul Kasapi, dhe operatori Endrit Myftari, të cilët janë pozicionuar prej ditësh në frontin e luftës 1-vjeçare. Në një lidhje me “Dita jonë” gazetari ynë informoi se një raketë ruse Iskander ka goditur një ditë më parë një bllok banimi pallatesh dhe situata paraqitet e tensionuar. Për shkak të situatës, ai tha se nuk dihet nëse grupi i xhirimit mund të qëndrojë në këtë zonë.
“Kramatorsk në rajonin e Donjeskut, një raketë Iskander ka goditur një bllok apartamentesh. Presupozohej të godiste objekte strategjike, por është goditur një bllok banimi pallatesh. Një pjesë e pallatit është shkatërruar plotësisht. Duhet saktësuar se kjo predhë ka rreze 25 mijë metrash katrorë dhe ndodhej 200 metra larg objektit ku po qëndrojmë. Situata ka qenë e tensionuar, me pasojë 4 viktima dhe mbi 20 të plagosur. Në Bakhmut ushtria ruse pretendohet se ka rrethuar qytetin. Situata është e tensionuar, një pjesë po i afrohet Kramatorsk. Dje nisën edhe predhat e para dhe kanë krijuar një situatë të rëndë. Në këtë qytet nuk funksionojnë hotelet, por apartamentet ku qëndrojnë grupet mediatike. Nuk e dimë nëse mund të qëndrojmë ende këtu, pasi trupat ruse po avancojnë drejt Kramatorsk dhe po lëshojnë predhat”.
Në një lidhje me “Dita jonë” gazetari ynë dëshmoi gjithashtu se lufta është kthyer në normalitet dhe qytetarëve nuk u bëjnë përshtypje as predhat dhe as alarmi.
“Jetesa e qytetarëve është normale, më normale është në Kiev, por edhe këtu nuk u bën përshtypje, as alarmi dhe as predhat”.
Në Kramatorsk në vitin 2020, popullsia numërohej rreth 200 mijë banorë, ndërsa sot ka 65 mijë. Shumica janë larguar edhe për shkak të bombardimeve të shumta. Ka qenë një qytet i pushtuar nga ushtria ruse. (A2 Televizion)