Beteja në qytetin lindor të Bakhmut është për momentin më e ashpra në të gjithë konfliktin ukrainas. Qyteti i rajonit të Donjetskut prej muajsh eshte pre e bombardimeve ruse, por deri më tani forcat ukrainase kanë rezistuar mirë, falë edhe karakteristikës së qytetit që ofron mundësinë e një sistemi të fortifikuar llogoresh.
Por ditët e fundit, gjeneralët rusë, që duan patjetër një fitore nga aty, kanë ndryshuar strategji, dhe gjërat, sipas vetë dëshmitareve në terren, po përshpejtohen.
“Situata ka ndryshuar radikalisht, ditët e fundit. Në fillim, luftonim kundër ushtarëve të thjeshtë dhe jo profesionistë, tani ata janë zëvendësuar nga trupa elite”, pohon një efektiv ukrainas në Bakhmut, në një prononcim të postuar në faqen zyrtare të ushtrisë së Kievit.
Përtej mercenarëve ekspertë të grupit Wagner, tashmë në zonë operojnë edhe trupat elite GRU, dhe dëshmitë në terren si dhe pamjet satelitore pohojnë se po kryhet një rrethim i qytetit nga veriu në jug. Janë gjithmonë e më shumë dëshmitë që forcat ruse për herë të parë kanë marrë kontrollin e disa rrugëve në qytet, ndërkohë që çelësi i sukseseve të fundit, sipas vetë ukrainasve, është përdorimi i atyre që quhen “mushkat”.

Bëhet fjalë për personel ushtarak, i paarmatosur dhe i veshur civil, i cili transporton sasi të vogla armësh dhe ushqimesh për ushtarët rusë që ndodhen në linjën e parë. Ata janë më të vështirë për t’u dalluar, dhe mundësojnë një furnizim të shpejtë që ka mundësuar shtimin e presionit mbi ukrainasit, që po mbeten gjithmonë e më shumë pa armatimin e nevojshëm.
“Ruset po shkatërrojnë të gjithë banesat, që në themel, është e vështirë të mbrohesh në këtë mënyrë”, pohojnë ushtarët ukrainas në front.
Ditë më parë, qarkulloi lajmi që disa këshilltarë amerikanë kanë tentuar të bindin presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski të vendosë për një tërheqje taktike nga Bakhmut, që po shkakton vdekje të panumërta dhe një konsum armatimesh përtej mundësive të Kievit, që ende pret përforcimet e tankeve perëndimore që priten vetëm pas disa muajsh. Ndoshta për Bakhmutin, ajo periudhë kohe do të jetë tepër e gjatë për t’i rezistuar rusëve. (A2 Televizion)