
Për analistin Afrim Krasniqi një nga problemet e mëdha të sistemit të ri të drejtësisë është moskontrolli i atyre që janë në krye të sistemit, ndërkohë që ata që janë në fund të tij duhet të përgjigjen edhe për qindarkën e fundit. Sipas tij reforma në drejtësi kërkon transparencë dhe besim te qytetari.
“Reforma kërkon nivelin më të lartë të transparencës dhe vendimmarrjes konsensuale dhe të besueshme publike qytetari duhet të bindet kjo që na është propozuar është më e mirë.
Problemi është se ne kontrollojmë magjistratët por jo disa nga anëtarët e Gjykatës së Lartë. Ata që janë në krye të sistemit nuk kontrollohen dhe ata që janë në fund të sistemit përgjigjen edhe për qindarkën e fundit dhe kjo është një nga problemet kryesore”.
Një tjetër problematikë sipas tij është edhe komandimi i përkohshëm i prokurorëve, teksa solli në vëmendje rastin e prokurorit të Kukësit. Dhe faji kryesor, sipas Krasniqit është i organit kryesor vendimmarrës
“Së dyti problematikë janë komandimet e përkohshme. Ne po na ndodh si me prokurorinë e Kukësit që promovohen individë që rezultojnë jo kaq cilësorë sa na u tha herën e parë, sepse edhe kur shprehim kritika kemi reagime negative. Unë nuk ia lë fajin strukturave të reja, por organit kryesor vendimmarrës. Shqipëria nuk ka një institucion përgjegjës gjithçka varet nga kreu i komisionit të ligjeve dhe nga vullneti politik i palëve në raport me atë amerikane. Kjo është ta banalizosh dhe fyesh reformën në drejtësi. Do të doja që parlamenti të kishte strukturë monitorimi e cila vinte me propozime serioze konkrete dhe afatgjata. Jam shume pesimist”.
Duke pranuar hapat pozitivë që janë ndërmarrë në lidhje me reformën në drejtësi, Krasniqi shton se ka individë pa nivel që konkurrojnë për Gjykatën e Lartë dhe kjo është e papranueshme.
“Në Gjykatën e Lartë konkurrojnë individë që as ju në studio Tv nuk i merri në punë. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Kjo është reforma më e mirë, por të jemi realistë të pranojmë përgjegjësitë dhe të heqim dorë nga qëndrim i korporativ. Jam dakord që për depolitizim janë bërë hapa pozitivë. Por në fund të ditës po shohim prokurorë që kanë deputetë apo ministra, këtë nuk duhet ta pranojë individi vetë, se sado ti thuhet opinionit që ka plotësuar kriteret, nuk e beson. Po ndërtohet një sistem i ri korporativ”. (A2 Televizion)