E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Nancy VanHorn është takuar sot me kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK, Altin Dumani. Në një psotim në rrjetet sociale të ambasadës amerikane bëhet e ditur se në takim “u diskutua puna e guximshme të SPAK dhe BKH në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe trafikun e drogës”.
Sipas ambasadës ata diskutuan gjithashtu edhe mbi takimet e fundit të Z. Dumani në Uashington me zyrtarë të Administratës Trump në Departamentin e Shtetit dhe në Departamentin e Drejtësisë.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare që bashkëpunojnë me SPAK në përparësitë tona të përbashkëta për të goditur organizatat e rrezikshme kriminale ndërkombëtare që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane.
Kujtojmë se një ditë më parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur garën për kreun e SPAK, ndërkohë që Altin Dumanit i mbaron mandati në dhjetor. (A2 Televizion)