
Pas tri ditësh në arrati, autoritetet në Ohajo, SHBA, më në fund arritën të kapnin një person që u largua nga salla e gjyqit gjatë seancës në ngarkim të tij. Nickolaus Garrison ishte në gjyq nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe u shpall fajtor për mbajtje të metamfetaminës në sasi të konsiderueshme.
Por në momentin që po mbahej seanca, 33-vjeçari i shpëtoi vëmendjes së policëve në sallë dhe arriti të largohet. E gjithë ngjarja u kap nga kamerat e sigurisë, ku shihet një prej efektivëve që hidhet “me kokë” nga shkallët për ta kapur, por nuk ia del dhe teksa përplaset në shkallë dëmtohet rëndë. Më vonë, u konfirmua se efektivi kishte thyer katër brinjë.
Të premten në mëngjes, Garrison u kap teksa po fshihej në një motel dhe tani rrezikon dënim edhe më të rëndë për shkak të aventurës së arratisjes. (A2 Televizion)