
Në fjalën e tij të parë, Bledi Çuçi dëshironte të mbahej mend si ministri i Punëve të Brendshme dhe jo i Policisë, por në të dytën nuk mund të mos prezantonte një studim suedez për Policinë.
Mes arritjeve të mëdha, të krahasuara gjithnjë me vitin 2013, që përqindja të jetë sa më shumë pozitive, dhe jo me dy vite më parë, ministri Çuçi e prezantoi policinë shqiptare si strukturë e cila linte pas vende të Bashkimit Europian sa i përket politizimit të saj.
Ministri e prezantoi se policia nuk influencohet nga politika, por 58% e të anketuarve bien dakord me deklaratën e studimit se vendimet dhe veprimet e policisë janë padrejtësisht të influencuara nga presioni i partive politike dhe politikanëve, pra është një pohim.
Për Ministrinë e Brendshme dhe ministrin mund të jetë çështje interpretimi, por sipas studimit suedez nuk është një pyetje, por një deklaratë në të cilën 58% besojnë se është e vërtetë. Ndaj dhe studimi shprehet se ky është një indikator negativ.
Sa i përket ryshfetit, sigurisht krahasuar me vitin 2014 kemi ulje, por sipas studimit Policia e Shtetit kërkon ose pranon më shumë ryshfet se në vitin 2018. Një tjetër pikë sa i takon policimit është dhe kontakti me qytetarët dhe se sa të kënaqur janë këta të fundit. Anketimi ka treguar se vetëm 42% e popullsisë është e kënaqur me mënyrën e trajtimit nga Policia. 39% nuk janë të kënaqur me trajtimin, ndërsa ky nivel nuk ka ndryshuar me vitin 2018. (A2 Televizion)