
Policia e Shtetit vijon kontrollet për zbatimin e masave të qeverisë për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e koronavirusit.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me gjobë 10.000 lekë, 40 shtetas, të cilët u konstatuan duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe iu është bllokuar automjeti 3 shtetasve, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin e dhënë nga organet kompetente për kufizimin e lëvizjeve.
Policia e Shtetit, në deklaratën e përditshme për shtyp njofton se janë evidentuar 33 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.
Ndërsa në Kukës është arrestuar në flagrancë shtetasi B. B., 30 vjeç u proceduar në gjendje të lirë edhe vëllai i tij, shtetasi U. B., 40 vjeç, pasi, duke udhëtuar me automjetin që drejtohej nga shtetasi U. B., kanë kundërshtuar me dhunë dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 10 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, të mos lëvizin as në oraret e lejuara pa ndonjë arsye, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa. (A2 Televizion)