
Policia e Shtetit ka njoftuar se ka marrë masa shtesë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në datën 30 qershor.
Albert Dervishaj, drejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, ka deklaruar se policia do të jetë në gatishmëri nga dita e shtunë e deri në përfundim të procesit zgjedhor.
“Në kuadër të masave të deritanishme të marra nga Policia e Shtetit për garantimin dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor në të gjitha fazat e tij, Policia e Shtetit për të garantuar një proces votimi sa më të qetë për votuesit ka marrë një sërë masash shtesë, masa këto që do reflektohen më tepër duke filluar prej ditës së shtunë e deri në përfundim të procesit zgjedhor. Janë trajnuar 7 779 punonjës të Policisë që do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas niveleve të menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor. Për sigurimin e 5.417 Qendrave të Votimit, 90 KZAZ dhe 90 VNV, janë bërë përllogaritjet të punonjësve të Policisë, për automjete, pajisje, komunikim, ushqim”, tha Dervishaj.
Drejtori sqaroi më tej se “çdo organizim dhe zhvillim i tubimeve dhe protestave në datat 29 dhe 30 Qershor 2019, data që korrespondojnë me periudhën e “heshtjes zgjedhore”, janë të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal, pasi konsiderohen vepra penale të cilat prekin dhe cenojnë të drejtat kushtetuese dhe ligjore të zgjedhësve apo personave për të ushtruar të drejtën e votës, të parashikuara në Kreun e X-të të Kodit Penal. Sipas dispozitave të këtij Kodi, këto vepra penale kanë si masë dënimi atë me burgim nga një deri në pesë vjet”. (A2 Televizion)