
Ambasadori i OSBE-së, Vincenzo Del Monaco, kërkoi angazhimin maksimal të strukturave të policisë për të mbajtur larg krimin nga zgjedhjet e 25 prillit. Deklarata e diplomatit u bë gjatë aktivitetit për trajnimin e policisë në zgjedhje. Nga ana e tij, kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, kërkoi paanësi të uniformave blu në procesin elektoral.
Krimi duhet të qëndrojë larg zgjedhjeve. Kjo ishte kërkesa direkte që kreu i OSBE-së në Tiranë, Vincenzo Del Monaco, kishte për drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë aktivitetit për trajnimin e zyrtarëve të policisë për procesin zgjedhor, ambasadori garantoi se mbështetja e OSBE-së nuk do të mungojë: “Kriminelët mund të zotërojnë shumë gjëra. Ata kanë armë, para’ dhe mund të shtiren si të fuqishëm. Por, ajo që i frikëson më shumë është diçka shumë e thjeshtë: e vërteta. Patjetër që e vërteta përkthehet në demokraci dhe në rregullat e demokracisë. Prania ime, pranë drejtorit tuaj, pranë jush, është për përgatitjen e një prej festimeve më të rëndësishme të demokracisë, zgjedhjeve dhe praktikisht zgjedhjeve të 25 prillit”.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili kishte gjithashtu një kërkesë për zyrtarët e policisë: “Ne mendojmë se veprimtaria e Policisë së Shtetit duhet të karakterizohet nga neutraliteti dhe mosndërhyrja. Pra, ofruesit e sigurisë pulbike nuk duhet të jenë të angazhuar në politikë, nuk duhet të marrin anë, apo të demostrojnë preferenca politike për subjekte politike të caktuara apo kandidat të caktuar”.
Por, pavarësisht punës për përgatjen e zgjedhjeve, Celibashi u tregua realist se çfarë vlerësimi do të marrin nga politika: “Unë personalisht nuk ushqej ndonjë iluzion, jam i sigurt thuajse, se ai që do t’i humbasë këto zgjedhje do të përpiqet që fajtorin ta gjejë jo tek vetja, por ta gjejë tek KQZ-ja, tek policia, diku tjetër. Por, është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë detyrën tonë dhe padiskutim opinioni publik të jetë në gjendje që ta ndajë kush ka bërë çfarë dhe si”.
Rreth 6000 punonjës policie do të trajnohen për rolin e tyre në procesin zgjedhor. (A2 Televizion)