
Kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë për përgjimet e antimafias italiane të publikuara në media sipas të cilave, pjesëtarë të “Ndraghetës” kërkojnë të pastrojnë paratë në Shqipëri nëpërmjet sektorit të ndërtimit.
Në konferencën e përjavshme në media, Rama i hodhi poshtë aludimet që shfaqen në përgjime për lidhje me eksponentë të politikës shqiptare. Vetë biznesi i hapur në Shqipëri për pastrimin e parave, është tregues sipas Ramës, i cili lexoi pjesë nga dosja italiane.
“Këtu ata e thonë copë, kanë hap një dyqan rrobash dhe me atë dyqan rrobash kanë dalë me humbje dhe kanë ikur, nuk kanë investuar në Shqipëri. Si mund të bëhet politikë dhe si mund të përdoret politikisht duke i bërë vendit nënë”.
Kryeministri shkoi më tej duke tentuar të shuajë debatin politik, me zhveshjen nga përgjegjësitë e të gjithë atyre që përmenden në përgjime, si në krahun e tij ashtu edhe mes rivalëve. Një qasje e re që duket se nga kundërsulmi i një dite më parë i Taulant Ballës në adresë të Bashës dhe Metës, po kërkon uljen reciproke të armëve.
“Unë po mbaj qëndrim për të gjithë ata. S’po them që shiko, mos shikoni ju që përmendet ky, se në fakt këtu është Ilir Meta, këtu është Ilir Kulla, këtu është Lulzim Basha. Spo i them fare. Po pse mo flasin dy italian atje dhe ne mbajmë përgjegjësi këtu? Jeni në terezi nga trutë e kokës apo jo?”
Por amnistia kryeministrore nuk përfshiu median, fajtore e përhershme në sytë e Edi Ramës.
“Ata vijnë hapin një dyqan rrobash dhe ju shisni një javë lecka Shqipërie që merrni dhe e shqyeni nga të katërta anëtar duke e ambalazhuar me përgjime mitomanësh delirantësh italianë”.
Edi Rama mendon se kjo çështje u mediatizua për efekt elektorale, pjesë e secilës thotë se janë bërë edhe kallëzimet e vazhdueshme ne SPAK.
“Paditë tek SPAK-u janë bërë pjesë e kësaj propagande sepse nuk kanë asnjë mundësi tjetër, nuk kanë asnjë ide tjetër se si mund të fitohen zgjedhjet”.
Pikërisht Prokurorisë së Posaçme antikorurpsion iu drejtua Nisma Thurje që depozitoi një kallëzim ku kërkon hetimin e kryebashkiakut Veliaj mbi mundësinë e pastrimit të parave të Ndraghetës në Shqipëri. (A2 Televizion)