
Gara në kampionat, Kupa e Italisë dhe Champions. Derbi i kësaj të shtune është vetëm hapi i parë për një muaj shumë të vështirë, por edhe vendimtar për Interin.
Ashtu si një vit më parë, zikaltërit paraqiten në duelin me rivalët e përjetshëm me dëshirën që të nisin shkëputjen në kampionat. Në shkurt të vitit 2021, suksesi 3-0 përballë Milanit e ndihmoi Interin ta rriste në 4 pikë diferencën nga ndjekësit dhe mbi të gjitha të largonte nga gara kuqezinjtë. Në atë periudhë, skuadra e Contes shtroi autostradën drejt titullit.
Sot, të besuarit e Inzaghi-t paraqiten në derbi me 4 pikë distancë nga rivalët, por edhe me ndeshjen kundër Bologna-s për të rikuperuar. Me 14 ndeshje pa pësuar humbje në kampionat, suksesi në San Siro këtë të shtunë, mund të jetë goditja vendimtare për t’u shpallur kampionë.
Dzeko, i cili qëndroi pushim gjatë këtyre javëve, duket gati të luajë titullar, përkrah Lautaro Martinez, që ashtu si Alexis Sanchez janë në dispozicion të skuadrës pas angazhimeve në kualifikueset e Amerikës Jugore.
Fitorja është alternativa e vetme, me skuadrën që gjithsesi duhet të menaxhojë energjitë. Pas derbit, zikaltërit i pret turi i forcës në shtëpi ndaj Romës në Kupë, transferta me Napolin në kampionat dhe dueli si pritës me Liverpool në Champions. Këto janë ndeshjet, që mund të përcaktojnë sezonin e Interit. (A2 Televizion)