Prag samiti i BE, Rama: Protesta e PD, marrëzi e mision i të paguarve nga Rusia

Nga A2 CNN
4 Dhjetor 2022, 17:43 | Politikë
Prag samiti i BE, Rama: Protesta e PD, marrëzi e mision i të paguarve

Liderët e Bashkimit Europian do të mblidhen në Tiranë në një atmosferë të ndezur politike, si brenda Shqipërisë ku do të zhvillohet paralelisht një protestë e opozitës, ashtu edhe brenda Ballkanit Perëndimor, ku presidenti Serb, Vuçiç, ka njoftuar mospjesëmarrjen në samit.

Kryeministri Rama ka komentuar këto zhvillime, duke nisur nga një mesazh i drejtpërdrejtë për Vuçiç. “Nuk emocionohem nga asnjë lloj deklarate që bëjnë politikanët brenda apo jashtë vendit për qëllime të politikës së tyre të brendshme. Serbia do të jetë në samit. Presidenti i Serbisë nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të vijë në samit. Në të kundërt do të ishte katastrofë”, tha Rama.

Dëshira për pjesëmarrjen e Vuçiç, duket se ishte dhe arsyeja pse kryeministri u përmbajt të reagonte për fitoren e Zvicrën ndaj Serbisë, ku luajnë shqiptarët Xhaka dhe Shaqiri. “Do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi qesharak. Nuk është e nevojshme”.

Kryeministri komentoi edhe masat ekstreme të sigurisë, që sipas tij natyrshëm nuk lejuan organizimin e protestës së opozitës në bulevard. Gjithsesi Rama e konsideroi atë një marrëzi, të motivuar nga interesat personale të një personi non grata që drejton një parti të financuar nga rusët.

Në ditën kur demokratët votonin në primare për zgjedhjen e kandidatëve, Rama përgëzoi përpjekjet, por u shpreh i bindur për fitoren më 14 maj.

Rama zbuloi edhe një bisedë telefonike me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ku parimisht është diskutuar edhe mundësia për zhvillimin e vizitave të ndërsjella në Londër dhe Tiranë mes dy homologëve. Ndërsa nga samiti i së martës, Rama shprehu pritshmëritë për të bindur unionin të rrisë fondet për bujqësinë dhe investimet strategjike në infrastrukturë, duke i trajtuar vendet e Ballkanit si shtete anëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos