Prania fizike në komisione, Rushaj: Kthim në ligjshmëri, jo betejë e fituar

Nga A2 CNN
29 Shtator 2021, 12:12 | Politikë
Prania fizike në komisione, Rushaj: Kthim në ligjshmëri, jo

Partia Demokratike nuk e konsideron si betejë të fituar praninë fizike të deputetëve në komisione, por si kthim në ligjshmëri. Kështu u shpreh kryetari i grupit parlamentar demokrat, Alfred Rushaj, për gazetarët, pas deklaratës së homologut socialist, Taulant Balla, në lidhje me këtë çështje.

“Më vjen mirë që pati një kthesë në ligjshmëri dhe reflektim për të zbatuar ligjin e rregulloren nga drejtuesit e PS-së. Nuk është betejë e fituar, kjo është diçka që ata kanë rënë dakord të zbatojnë ligjin, të drejtën që qytetarët kanë për të dëgjuar përfaqësuesit e tyre për nismat e tyre në parlament, jo të quhet si fitore, përkundrazi është diçka që drejtuesit e PS-së duhet ta kishin bërë më shpejt dhe të mos i futeshin këtij debati”.

Rushaj thekson se veprimet e dy ditëve të mazhorancës për këtë çështje kanë qenë tërësisht në kundërshtim me rregulloren e komisioneve parlamentare, që sipas tij vjen nga frika e debatit që zëri i opozitës të mos dëgjohet.

“Dje dhe sot ka pasur zhvillime të paligjshme, tërësisht në kundërshtim me rregulloren dhe kushtetutën e komisioneve parlamentare, të cilët përveç se frikës për debat e shmangies së debatit që zëri i opozitës të mos dëgjohet, nuk shoh arsye tjetër”.

Ai tha gjithashtu se opozita ka qenë që në fillim në respektim të protokollit të sigurisë për pandeminë.

“Ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër vaksinimit, ka qenë një propozim i Alibejat që në respekt të çdo protokolli sigurie të zhvilloheshin këto mbledhje dhe kjo përfshinte vaksinimin dhe testin. Për fat të keq kemi gjetur një refuzim të PS-së që të zbatojnë rregulloren”.  

Edhe përfaqësuesja e PD-së në Komisionin e Ekonomisë, Sorina Koti, tha se kjo farsë e mbledhjes së komisioneve do të marrë fund, për sa kohë që shkollat, universitet dhe baret janë të hapura

“Kërkuam prezencën tonë fizike dhe në mbledhjen më të parë, kjo farsë e mbledhjes së komisioneve do të marrë fund kur shkollat, universitetet, baret janë të hapura. Ne sot ishim prezent se detyra jonë është që të përfaqësojmë qytetarët shqiptarë. Ne sot ishim të prerë që prezenca jonë do të ishte këtu. Bëmë thirrje duke respektuar masat anti-covid”.

Ajo tha se një tjetër problem në mbledhjen e komisionit të Ekonomisë ishte edhe mosekspozimi i opozitës, por vetëm online.

“Një tjetër problem ishte padukshmëria e komisionit nga ana e PD-së, pasi pjesa e ekspozuar ishte vetëm online. PD-ja është në terren, është pjesë e komisioneve ku do të bëjë të gjitha propozimet për qytetarët”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos