Premier League nuk ndalet as nga pandemia, luhet edhe më 1 janar

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2021, 11:37 | Futboll
Premier League nuk ndalet as nga pandemia, luhet edhe më 1 janar

Premier League nuk ndalet as prej pandemisë. Pavarësisht numrit në rritje të rasteve pozitive në Angli dhe mbi të gjitha mes skuadrave të futbollit, programi i sfidave të fundvitit dhe fillimit të vitit 2022 në kampionat, do të vazhdojë normalisht.

Pronarët e klubeve të elitës diskutuan mundësinë e shtyrjes se ndeshjeve gjatë periudhës së festave, pasi disa prej skuadrave janë kthyer në vatra të infeksionit. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e ndeshjeve në javën e fundit të Premier League, u shtynë.

Disa ekipe, mes të cilave Liverpool dhe Arsenal, kishin propozuar që përballjet e programuara nga data 28 deri më 30 dhjetor të shtyheshin për më mbrapa. Megjithatë, sipas mediave britanike, pjesa më e madhe e klubeve e cilësuan këtë një strategji të rrezikshme dhe preferuan që të luajnë sipas kalendarit. Një tjetër shtyrje do të kishte kosto të lartë ekonomike për Premier League, si edhe do të shkaktonte probleme organizative për skuadrat që kanë disa ndeshje për të rikuperuar.

Kjo bën që të luhet normalisht pas Krishtlindjeve, pra më 26 dhjetor, e cila shënon edhe ndeshjen e fundit të fazës së parë. Më pas, ekipet rikthehen në fushë nga datat 28 deri më 30 dhjetor dhe mes datave 1 dhe 3 janar, për dy javët e para të fazës së dytë. Më pas, do të jetë pushimi dyjavor i parashikuar në kalendar.

Liga Angleze e Futbollit sqaroi se klubet duhet të përdorin futbollistë nga ekipet zinxhirë të akademive, nëse do të jetë e nevojshme të zëvendësojnë mungesat për shkak të pandemisë, sëmundjeve të tjera apo dëmtimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos