
Dimensioni ekonomik i fushatës është gjithmonë ai që krijon më debate, por edhe premtimet më të mëdha.
Sipas analistit Lutfi Dervishi, “ekonomia e vendit tonë është pothuajse informale, gjysma e popullsisë nuk paguan taksa dhe nuk i kupton ato. Janë dy rryma që përplasen, ku PD kërkon rikthimin e taksës së sheshtë, dhe bizneset janë të joshura nga kjo, madje sipas ekonomistëve në kushtet e informalizimit kjo është mënyra e duhur për të rritur bazën e taksapaguesve. Ndërkohë, PS i mbahet fort idesë së taksës progresive, por duke rritur fashën e rrogës minimale, diçka që nënkupton edhe rritje të sigurimeve shoqërore etj”.
Sipas tij, “premtimet për rritje rrogash nga PS dhe PD nuk janë realiste, duke parë që edhe viti 2021 do të jetë një vit pandemik. Pra kemi PD që thotë se do të kemi një kthim në normalitet, një hapësirë për biznesin dhe një rishikim të koncensioneve, PS ndërkohë premton vazhdimësi. Në mes është oferta e LSI që tashmë është e integruar me atë të PD, nga momenti që ka pranuar edhe taksën 9%”.
Ndërkohë, analistja Edlira Gjoni fokusohet tek ndryshimet e këtyre premtimeve në Tiranë dhe në rrethe.
“Njerëzit kërkojnë diçka në programin e të tre partive. Por a janë në gjendje t'i përkthejnë ato në mënyrë që të jenë e kuptueshme në të gjithë qarqet e vendit? Partitë mbetën duke sharë kundërshtarin. Kam vëzhguar disa prej tyre në terren, programet pak përsëriten, pak kërkohen. Fushata në Tiranë bëhet me një dinamikë komplet ndryshe, ndërkohë që në rrethe diskutohet për gjera si, përshembull, cili nga familja do të punësohet, sa do të rriten pensionet sociale, KEMP-i etj".
Analisti Gjergji Vurmo mendon se një gabimet e mëdha që bëhen nga partitë është mungesa e konsultimit me grupe te interesit, për çështje të caktuara.
“As Rama, as Basha, as PD dhe PS nuk i kanë konsultuar programet e tyre me grupet e interesit. Taksa e sheshtë për shembull i intereson biznesit, po a i intereson shtresave të tjera, dhe janë konsultuar ato?”, thotë ai. (A2 Televizion)