Dy tërmete me magnitudë 7,7 dhe 7,6 tronditën Turqinë para disa ditësh. Në mbështetje të qytetarëve të prekur nga tërmeti u mobilizua edhe bota e sportit. Fatih Terim, trajneri turk i futbollit me famë ndërkombëtare, foli në telefon me 8-vjeçaren Bensu Kural, e cila u shpëtua nga rrënojat.
Vajza kishte kërkuar të bënte një videotelefonatë me Fatih Terimin nga dhoma e saj në spital dhe trajneri vendosi t’ia plotësonte këtë dëshirë.
Duke folur me Bensun, ish-trajneri i Gallatasarajit dhe Milanit tha: “Tani e tutje hapet një faqe e re në jetën tënde, do të lësh pas këtë kujtim të keq të së shkuarës dhe kur të shërohesh do të pres dhe do t'ju çoj në stadium”.
Doktorët falënderuan “Perandorin” për ndjeshmërinë e tij dhe thanë se takime të tilla janë një burim morali për Bensu dhe pacientët e tjerë. (A2 Televizion)