
Për herë të parë që prej anëtarësimit, Kroacia ka marrë drejtimin e Këshillit të Bashkimit Europian.
Qeveria e Zagrebit vendosi dhe prioritetet kryesore për 6 mujorin e parë të 2020. Në fokus kryesor pritet të jetë çështja e zgjerimit. Kroacia synon të nxisë negociatat për integrimin e mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sigurisht kjo lidhet me caktimin e datës zyrtare për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Por në axhendën kroate qëndron edhe vazhdimi i mëtejshëm i negociatave me Serbinë, si edhe afrimi I Bosnje-Hercegovinës me BE. Për këtë do të zhvillohet në maj një samit i posaçëm i BE në Zagreb.
Një tjetër prioritet pritet të jetë çështja Brexit. Më 31 janar, Britania e Madhe do të largohet zyrtarisht nga BE. Më pas do të nisin dhe bisedimet për marrëdhëniet e ardhshme mes Londrës dhe Brukselit, në mënyrë që të negociohen dhe marrëveshjet për tregtinë e lirë.
“Ne duam të ndihmojmë, që të gjithë anëtarët e BE dhe Parlamenti Europian të ratifikojnë marrëveshjen për përfundimin e anëtarësimit britanik në BE që në janar, kështu që të kemi 11 muaj kohë për të arritur një ujdi për marrëdhëniet e ardhshme”, deklaroi Andrej Plenkovic, kryeministër i Kroacisë.
Ai bëri me dije se kryengeociatori i BE për Brexit do të mbesë Michel Barnier. Gjithashtu, Presidenca kroate e Këshillit të Unionit do të fokusohet edhe tek tematika e emigracionit dhe ruajtjen e kufijve të BE-së. Pas Kroacisë, Presidencën e Këshillit të BE-së do ta marrë Gjermania më 1 korrik. (A2 Televizion)