
Mundësia e parë për aprovimin e kornizës së bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të jetë në 10 nëntor.
Sipas axhendës së ministrave të Jashtëm të BE, gjatë presidencës së Gjermanisë, e publikuar të enjten nga Këshilli Europian, çështja e zgjerimit do të vihet në tryezë pikërisht në këtë datë.
Shpresohej që drafti do të shqyrtohej që në nisje të punimeve të Këshillit, pas pushimeve të verës, në muajin shtator, por në krye të axhendës së presidencës gjermane janë çështje të tjera. Raportet mes Britanisë së Madhe dhe BE, zënë një vend të rëndësishëm, ndërsa Brukseli nxiton të riformatojë marrëdhëniet më ish anëtarin rebel, me përqendrim të veçantë tek lidhjet tregtare.
Herët, në axhendën e presidencës gjermane është gjithashtu rimëkëmbja ekonomike e Eurozonës, pas pandemisë së Covid-19. Në çdo dalje të saj në publik kohët e fundit, pak ditë më parë edhe në krah të presidentit francez Emanuel Macron, kancelarja Angela Merkel e ka vënë theksin tek nevoja e unitetit mes shteteve anëtare për aprovimin e një fondi prej 750 miliardë eurosh për rimëkëmbjen e ekonomive të goditura më rëndë.
Reformimi i sistemit të emigracionit, do të jetë gjithashtu një tjetër prioritet i presidencës gjermane të bllokut, me çështjen që do të vihet në tryezë që ne muajin tetor. (A2 Televizion)