
Pak para mesnatës, presidenti Ilir Meta ka dekretuar datën 6 mars për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në 6 bashki të vendit.
“Dekretoj 6 marsin si datë të zgjedhjeve të pjesshme lokale”, u shpreh Meta në një emision televiziv.
Më herët, kreu i shtetit, pasi priti në një takim kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se janë dy data mundësitë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në 6 bashki.
“Dy data janë, 27 shkurti dhe 6 marsi. Meta nuk kërkon datë, por jep një datë. Për mua, më e rëndësishmja është KQZ-ja, pasi ajo do të merret me zgjedhjet dhe nuk është diçka e lehtë. Këto zgjedhje janë nga Thethi deri në Lushnjë”, tha Meta për gazetarët pas takimit me Ballën.
Ai theksoi se nuk do të ketë konsultime me opozitën, por vetëm me Ballën, pasi ishte i shqetësuar dhe dyshonte se mos kishte një bojkot të këtyre zgjedhjeve nga mazhoranca. (A2 Televizion)