
Presidenti Ilir Meta vlerësoi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” kompozitorin e mirënjohur shqiptar, Vladimir Kotani.
“Në vlerësim të kontributit artistik shumëvjeçar, për krijimtarinë e vyer dhe pasurimin e vlerave artistike të muzikës shqiptare. Me mirënjohje institucionale për përkushtimin e jashtëzakonshëm ndaj muzikës së lehtë dhe jo vetëm, duke na dhuruar një larmi të pafundme këngësh e melodish, që kanë mbetur të paharruara në kujtesën e artdashësve shqiptarë”, thekson Presidenti Meta.
Vladimir Kotani është një nga kompozitorët më të shquar të vendit. Mbi 1500 këngë shqiptare të muzikës së lehtë mbajnë firmën e tij. Në memorien tonë, emri i kompozitorit të mirënjohur Vladimir Kotani është i lidhur ngushtësisht me festivalet e këngës të fund vitit në Radio Televizion. Disa nga këngët fituese të çmimeve të para, në festivalet e këngës si: “Në moshën e rinisë”, “Çel si gonxhe dashuria”, “Kur e humba një dashuri”, “Lot me ty o djalë se ta di merakun”, mbajnë firmën e tij.
Veprimtaria e Vladimir Kotanit është shtrirë edhe në kompozime për: muzikë filmash artistikë, dokumentar e vizatimor; muzikë për Teatrin Kombëtar e për Teatrin e Kukullave; serenata, arie, fantazi për fizarmonikë e orkestër, pjesë orkestrale për orkestra frymore e valle simfonike. (A2 Televizion)