
Kryetari i Komisioni të Shëndetësisë, Enver Roshi, ka kërkuar që deputetët të jenë në fashën e qytetarëve që duhet ta bëjnë më shpejt vaksinën.
Këtë kërkesë, Roshi ia ka parashtruar Gramoz Ruçit në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, me argumentin se, për shkak të takimeve me elektoratin, deputetët ekspozohen ndaj një rreziku të lartë.
“Të hartohet një listë për ne, edhe për ata deputetë që nuk e kanë kaluar e për grupe të tjera, që të mos preken deputetët nga Covid-i, që të vaksinohemi, të jemi në grupet prioritare, jo para atyre që janë në frontin e luftës, por në vijën e dytë apo të tretë të përfshihen deputetët për t’u vaksinuar me vaksinën anti-Covid”, tha Enver Roshi.
Ndaj kësaj kërkese reagoi kreu i qeverisë, Edi Rama, duke ia prerë rrugën çdo korsie preferenciale. “Asnjë deputet, asnjë ministër, asnjë drejtor, që nuk është mbi 75 vjeç, nuk do ta marrë vaksinën para.
A2 kontaktoi me deputetin Enver Roshi për të marrë më shumë sqarime ndaj këtij propozimi. Ai shpjegoi se propozimi i tij kishte qenë në parim, por u shpreh i vetëdijshëm se prioritet në vaksinim duhet të kenë mjekët, moshat e treta dhe mësuesit.
Vetë Enver Roshi është nga ata ligjvënës që lufta me Covid-in e mundoi së tepërmi, pasi për disa javë u kurua në terapi intensive. (A2 Televizion)