
Tonin Vocaj do të jetë drejtori i ri i Policisë së Tiranës, ndërsa Lorenc Panganika shkon drejtor në Policinë e Fierit. Këtë të premte Vocaj u prezantua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa emërimet e firmosura nga drejtori i përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku u zyrtarizuan nga Policia e Shtetit.
Zv.drejtor për hetimin e krimeve në Policinë e Tiranës u emërua Alket Shatro që më herët drejtonte komisariatin nr. 6.
Në përmbushje të afatit 100 ditor që kryeministri Rama i la për të nxjerrë policinë nga gjendja në të cilën ndodhej, Rrumbullaku firmosi dhe ndryshimet për dy nga drejtoritë më problematike sa i përket krimit të organizuar dhe grupeve që veprojnë në to.
Në Shkodër u emërua Ervin Hodaj i cili rikthehet pas pesë viteve në Akademinë e Sigurisë dhe me një eksperiencë përgjatë drejtimit të Policisë së Tiranës nga viti 2015 deri në vitin 2017.
Zëvendësi i Hodajt në Policinë e Tiranës përgjatë atyre viteve Ermal Muçës iu besua drejtoria e Policisë së Vlorës.
Qarku vijon të mbetet një nga zonat e nxehta të krimit të organizuar trafikut të drogës, por edhe armëve. Sokol Bizhga nga ana tjetër që drejtonte forcat operacionale lëvizëse mori gradën drejtues i Lartë dhe u emërua zv.drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. (A2 Televizion)