
Demokratët e Korçës akuzuan Bashkinë e qytetit se ka shkelur ligjin duke futur masivisht në shtëpitë e qytetarëve dhjetëra persona që nuk kanë lidhje me ato familje.
“Me mysafirë të shtuar rezulton edhe shtëpia e kryebashkiakut Sotiraq Filo”, pohon PD e Korçës, sipas së cilës, i njëjti fenomen vihet re edhe me institucionet e tjera vendore.
"Nisur nga verifikimet e listës paraprake të zgjedhësve, hartuar nga Bashkia e Korçës, si institucion i ngarkuar nga ligji për përgatitjen e procesit zgjedhor, filluan të dalin në dritë të diellit fakte skandaloze.
Bashkia e Korçës, në shkelje të detyrimit ligjor për të hartuar lista të sakta të votuesve, ka futur masivisht në shtëpitë e banorëve të Korçës, jo një, por dhjetëra votues të tjerë, pa asnjë lidhje apo njohje me familjarët e banesave ku janë vendosur.
Thënë më shkurt, bashkia na ka bërë me mysafirë, pa na pyetur fare.
Jo vetëm kaq! Sipas listës paraprake të zgjedhësve, rezulton se edhe në disa institucione publike të Korçës banojnë një numër i konsiderueshëm qytetarësh, me adresë dhe kod banese pikërisht në këto institucione.
I tillë është absurdi me Shtëpinë e Foshnjës" Lulet e Vogla" e cila sipas listës së bashkisë, shërben edhe si banesë për dhjetëra qytetarë të Korçës", thuhet mes të tjerash në reagimin e PD, Korçë. (A2 Televizion)