
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, e cilësoi si shumë të vështirë situatën me pandeminë Covid-19 në Shqipëri. Sipas tij, qeveria po bën propagandë me vaksinimin, një proces për të cilin ai mendon se nuk po kryhet.
“Situata është shumë e vështirë në ekonomi. Procesi i ashtuquajtur i vaksinimit nuk ekziston. Pra, vaksinimi në Shqipëri nuk ekziston, nuk bëhet, ky është fakt. Trasta e vaksinave, me 900 e ca të tilla, e cila ka mbi dy javë që vjen vërdallë, siç e dini ka degraduar tërësisht si proces, pasi as nuk ka doza vaksinash të reja. Priteshin që sipas premtimeve zhurmëmëdha të kryeministrit shqiptar se do të vinin në fillimin e javës së tretë, pra që më 15 janar, dhe asnjë lajm dhe asgjë tjetër nuk ka.
Qindra e mijëra të sëmurë, pasi shifra e të sëmurëve realë është shumë më e lartë se sa kjo që ekzaminohet, vetë trajtohen nëpër banesa, pa kujdes shëndetësor, pa mbështetje financiare dhe shqiptarët po robtohen e po shkatërrohen ekonomikisht, e po futen në borxhe për të përballuar kurimin tepër të kushtueshëm nga COVID-19.
Asnjë analizë nuk bëhet për humbjet e jetëve, ndonëse shifrat kanë qenë kritike dhe po nga kjo foltore kam ngritur qartë dhe prerë çështjen, që bëhet fjalë për mijëra të sëmurë që kanë humbur jetën, të cilët nuk janë evidentuar apo analizuar për të marrë masa të menjëhershme, urgjente, serioze, efikase për të përballuar situatën siç duhet”, tha Vasili. (A2 Televizion)