Projekt-paketa fiskale 2023, hiqet TVSH për drutë dhe energjia elektrike, shtrenjtohen cigaret

Nga A2 CNN
12 Tetor 2022, 17:08 | Ekonomi

Lehtësi në pak kategori produktesh dhe përpjekje për të mbështetur disa shërbime, duke mos synuar ndryshime thelbësore. Kështu mund të përmblidhet projekt-paketa fiskale për vitin e ardhshëm, hedhur tashmë për Konsultim Publik nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Në dokument synohet të heqja e Tatimit mbi Vlerën e shtuar për drutë e zjarrit  për ngrohje, të blera nga jashtë, energjinë elektrike të importuar apo prodhuar në vend që do të tregtohet në Bursën Shqiptare të Energjisë, hirrën e kremin qumësht, bateritë e makinave elektrike si dhe donacionet e ardhura nga jashtë.

Gjithashtu, nëpërmjet paketës fiskale 2023 kërkohet unifikimi i akcizës së birrës, vendim i cili do të penalizonte pak prodhimin vendas. Heqja e diferencimeve në akcizën për pijet e forta dhe rritja e akcizës për cigaret janë dy politika të tjera që pritet ë materializohen pasi propozimet të marrin dakordësinë gjatë konsultimit Publik.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka përllogaritur që nga heqja e TVSh-së për disa produkte të buxheti të humbë shuma të vogla parash, ndërsa përllogariten arkëtime të konsiderueshme nga akciza për birrën dhe cigaret.

Nëse projekt-paketa fiskale do të marrën miratimin gjatë Konsultimit Publik do të shqyrtohet në Komisionin e Ekonomisë, për të kaluar më pas për miratim në Parlament. Nëse ajo votohet, efektet e saj do të jenë deri në fundin e vitit të ardhshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos