Projekti i “Unazës së Madhe”, Meta: Palët të mos ushqejnë konfliktin

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2018, 21:20 | Aktualitet
Projekti i “Unazës së Madhe”, Meta: Palët të mos

Në emisionin “I Ftuari” të gazetarit Endri Xhafo, në televizionin “A2 News”, ndër të tjera, Presidenti i Republikës Ilir Meta foli edhe për çështjen aktuale të projektit të “Unazës së Madhe” në kryeqytet, i cili prej më shumë se një muaji ka sjellë protesta të banorëve që preken nga projekti, ndërsa ka nisur edhe prishja e ndërtesave.

Presidenti Meta u shpreh se “çështja themelore është dialogu dhe askush nga palët nuk duhet të ushqejë konfliktin duke vepruar nga pozitat e forcës. As qeveria ndaj banorëve, dhe as banorët apo qoftë edhe opozita, në përkrahje apo në nxitje të banorëve ndaj qeverisë. Është një rrugë publike, duhet bërë patjetër. Trafiku e kërkon, sepse këto janë zgjidhje në interes të gjithë vendit”, tha Presidenti.

https://a2news.com/2018/12/06/meta-ne-a2-news-ligjet-e-reformes-ne-drejtesi-duhen-ndryshuar/

Endri Xhafo: Do të doja t’ju pyesja tani për një gjë që e kemi aktuale: Ju jeni shprehur për një zgjidhje të drejtë për banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe. Ju duket se është e drejtë zgjidhja që është gjetur? Duke pasur parasysh që prishjet kanë filluar, që projekti ka filluar fazën e tij teknike.

Presidenti Meta: Nuk mund të jap një vlerësim të plotë për pyetjen që ju sapo më bëtë. Pasi që kur kemi një situatë konfliktuale, unë kam bërë atë reagim që ju pak a shumë e përmblodhët në një mënyrë konçize. Dhe po kështu kam kërkuar, në bazë të Kushtetutës, informacion nga institucionet përgjegjëse lidhur me situatën konkrete të projektit, të të gjitha fazave ligjore, të miratimit të tij dhe të zbatimit të tij e të impaktit që ai do të ketë. Por do të na duhet të kemi të gjithë informacionin për të bërë një vlerësim më të plotë lidhur me transparencën e këtij projekti, lidhur edhe me përgjegjshmërinë për t’i dhënë një zgjidhje të drejtë. Pra edhe në interes të publikut, sepse veprat publike duhet të realizohen, dhe duhet të realizohen në mënyrën më transparente dhe më ligjore, por sigurisht që edhe qytetarët, të cilët preken, duhet të marrin një zgjidhje të drejtë, gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me Kushtetutën.

https://a2news.com/2018/12/06/meta-flet-per-moniken-vendimet-e-mia-te-pandikuara/

Endri Xhafo: Nëse në bindjen tuaj, zgjidhja që u është dhënë do të jetë e drejtë, konform ligjeve, e drejtë edhe sipas asaj që është e moralshme, a do ta bëni publik qëndrimin tuaj? A do ta mësojmë qëndrimin e Presidentit?

Presidenti Meta: Unë do ta ndjek këtë situatë. Pres një informacion sa më të plotë për të bërë një gjykim sa më objektiv, jo thjesht për të bërë një vlerësim në bazë të pamjeve apo debateve që dëgjojmë nga ekranet dhe nga mediat. Natyrisht që do të bëj vlerësimin tim. Por ajo që është më e rëndësishme se çdo gjë është një inkurajim që unë i kam dhënë dhe i jap gjithmonë dialogut për çështje të tilla, për t’i tejkaluar këto situata që nuk i shërbejnë as paqes sociale, as një atmosferë më pozitive dhe bashkëpunuese.

Endri Xhafo: Zoti President, t’ju bëj një pyetje, duke pasur parasysh që ju keni qenë anëtar i kabinetit, pra anëtar i qeverisë, përpara se të bëheshit President i Republikës! Fakti që nuk ka një ligj që të rregullojë marrëdhëniet e personave që janë në proces legalizimi të banesave – dikur është zgjidhur me VKM, dikur më pas, jo, – është e drejtë le ta quajmë apo ka një boshllëk ligjor? Sepse i gjithë thelbi i asaj proteste është një dëmshpërblim i drejtë i personave, ndërkohë që të paktën, sipas deklarimeve publike, personat që nuk kanë asgjë me hipotekë apo që kanë ndërtuar pranë asaj që do të ishte shtrat i rrugës dhe nuk përfitojnë nga legalizimi, do të marrin një bonus qiraje. Pra gjithçka përmblidhet në një situatë ligjore.

Presidenti Meta: E gjithë atmosfera, me thënë të drejtën, mua nuk më pëlqen. Në kuptimin e një përpjekjeje për të imponuar një situatë konfliktuale, në vend të përpjekjeve për një dialog të qetë e të durueshëm. Pasi banorët mund të kenë edhe situata jo të njëjta apo të ndryshme të karakterit ligjor apo edhe social, të cilat mund të kërkojnë natyrisht zgjidhjet e duhura. Po them proporcionale në raport me statusin e tyre ligjor, flasim të tyre dhe të formave të tyre apo statusin e tyre social, pasi kjo pastaj sjell një gjë tepër të domosdoshme. Është një gjë ligjore, por është edhe një gjë njerëzore.

Endri Xhafo: Zoti President, më falni që po këmbëngul! Një rrugë, dy kilometra, një punë publike që është një vepër arti sikurse është ai kalim e nënkalim, 40 milion Euro. Në këtë këndvështrimin tuaj? Kujtoj se keni qenë kryetar i një partie që drejtuar edhe Ministrinë e Transporteve? Pra a jeni i njohur me dosjet që kanë të bëjnë me punët voluminoze, me veprat e artit?

Presidenti Meta: Unë jam i njohur për aq sa mund të jem, për arsye se kam qenë edhe kryeministër. Dhe kam qenë në kohën kur filluan të bëhen rrugët me ritme të larta në Shqipëri dhe me kosto shumë…

Endri Xhafo: Me kosto më të ulët.

Presidenti Meta: … me kosto shumë me interes për publikun, por nuk është kjo çështja.

Endri Xhafo: Në mos gaboj, rruga e Llogarasë për shembull i atribuohet Ilir Metës apo jo?

Presidenti Meta: Nuk është kjo çështja. Çështja themelore është dialogu. Asnjë palë nuk duhet të ushqejë konfliktin duke vepruar nga pozitat e forcës. As qeveria ndaj banorëve, dhe as banorët apo qoftë edhe opozita, në përkrahje apo në nxitje të banorëve ndaj qeverisë. Është një rrugë publike, duhet bërë patjetër. Trafiku e kërkon, sepse këto janë zgjidhje në interes të gjithë vendit.

Endri Xhafo: Opozita po përdor politikisht këtë çështje? Po e tejkalon kërkimin e së drejtës?

Presidenti Meta: Nuk thashë këtë gjë. Opozita është e pranishme, jo vetëm me qëndrimet e saj, por edhe me praninë e saj. Dhe është e drejtë e opozitës. Nuk mund ta akuzojmë përse ajo është e pranishme, por e rëndësishme është që të gjendet zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë. Dhe kjo kërkon pak durim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos