
Protesta e studenteve zgjerohet dhe sot pjesëmarrja në to është bërë edhe me masive. Studentëve të Tiranës u janë bashkuar edhe ata të Elbasanit dhe Korçës gjatë paradites, dhe kërkesa e tyre mbetet anulimi i tarifës për provimet e mbartura.
Studentët e Korçës paralajmërojnë se këto protesta mund të shndërrohen në një lëvizje si ajo e viteve ’90, ku studentët me vendosmërinë e tyre nisën revoltën që rrëzoi edhe sistemin komunist në Shqipëri.
4 kërkesat e studentëve
1. Anulimi i VKM për tarifa shtesë.
2. Përgjysmimi i tarifës së studimit.
3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve.
4. Bordi i Administrimit të ketë̈ numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë se Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentet ne bord.
Lëvizja për Universitetin organizoi sot protesta edhe në qytete të tjera. Thirrjeve kundër tarifës së provimeve të mbartura ju bashkuan edhe ata të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe ata të Universitetit “Fan Noli” në Korçë. Në të tre qytetet studentet e braktisën mësimin dhe dolën në rrugë.
Në kryeqytet, të rinjtë marshuan drejt Ministrisë së Arsimit ku zhvilluan protestë edhe një ditë më parë. Në Universitetin e Gjirokastrës mësimi ka vijuar normalisht e po ashtu edhe në atë të Shkodrës, studentët e të cilit pritet t’i bashkohen protestës në ditët në vijim. (A2 Televizion)