
Me anë të një deklarate për mediat ditën e sotme nga Delegacioni i Bashkimit Europian ne Shqipëri, bëhet e ditur se Komisioni Europian ka miratuar një ditë më parë Programin Vjetor të Masave 2018 për Shqipërinë, duke akorduar edhe një fond mbështetje të reformave për integrim në vlerën e 94 milionëve euro.
Programi fokusohet në çështjet thelbësore për pranimin në BE, të tilla si shteti ligjor, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit.
“Fondet e BE-së do të përqendrohen në forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit, duke vazhduar mbështetjen e BE-së për zbatimin e reformës në drejtësi. Programi gjithashtu do ta ndihmojë Shqipërinë për të përmirësuar efikasitetin dhe efektivitetin e autoriteteve të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës. Programi do t'i plotësojë këto masa me investime në zhvillimin social-ekonomik të zonave të prekura”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se, fondet e BE-së do të kontribuojnë gjithashtu për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e turizmit.
“Duke njohur potencialin e madh të turizmit për rritjen ekonomike në Shqipëri, fondet e BE-së do të kontribuojnë gjithashtu për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e turizmit të cilësisë së lartë dhe të qëndrueshëm. Mbrojtja e mjedisit, dhe veçanërisht trajtimi i ujërave të zeza, është prioritet i asistencës së BE-së. Përmirësimi i cilësisë së ujit dhe kushteve më të mira sanitare do të kontribuojnë gjithashtu për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në dobi të qytetarëve shqiptarë. Së fundmi, Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështesë pjesëmarrjen e Shqipërisë në programet e BE-së, si Erasmus +”, mbyllet njoftimi.
Për këtë vendim ka reaguar edhe ambasadori i BE, Luigi Soreca: “BE mbështet vijimin e reformave në forcimin e sundimit të ligjit, por gjithashtu për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe social në dobi të të gjithëve”. (A2 Televizion)