
Prokuroria e Tiranës njoftoi nisjen e hetimeve për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Organi që ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit, ka nisur çështjen me akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, pas referimit të bërë nga policia e shtetit.
Dosja për mbledhjen e materialeve nisi kryesisht prej gjyqit të FSHF me përmbaruesit për bllokimin e disa llogarive të institucionit që drejton futbollin. Akuza në atë rast lidhej me kalimin e jashtëligjshëm të fondeve në adresë të klubit Tirana.
Akuza e radhës është rreth fondit 2,1 milionë dollarë të FIFA-s, që do të shërbente si ndihmë financiare për skuadrat e futbollit në Shqipëri, prej krizës së shkaktuar nga pandemia. Në këtë rast shpërdorimi lidhet me faktin se shumë klube akuzojnë që nuk kanë përfituar asnjë kacidhe, teksa në argumentet e paraqitura, federata e futbollit theksonte se të paktën një milionë dollarë nga ky fond krize është përdorur për zhvillimin e futbollit të femrave dhe për shpenzimet operacionale të ndeshjeve të Kombëtares.
Vetëm pak orë më parë, ishte Bashkia e Tiranës, në cilësinë e aksionerit të skuadrës bardheblu, ajo që kërkoi hetim kombëtar dhe ndërkombëtar për korrupsionin dhe shkeljet e Armand Dukës gjatë 20 vjetëve në krye të FSHF-së.
Prej dy javësh, juristët shqiptarë, të asistuar nga homologët amerikanë dhe britanikë kanë hartuar një dosje voluminoze të shkeljeve. Për akuzat e trukimit të ndeshjeve dhe basteve të paracaktuara do të kujdesen oficerët rajonalë të FBI-së. Agjentëve të njësisë amerikane të antidrogës, DEA, do t’u paraqiten provat e parave të drogës që qarkullojnë në sportin shqiptar. Autoritet britanike, të përfaqësuara nga Scotland Yard dhe Agjencia Kombëtare e Krimit në Angli (NCA), do të hetojnë shpenzimet e pajustifikuara të familjes Duka, blerjen e pronave dhe automjeteve luksoze, që lidhen me akuzën e pastrimit të parave. Hetimi i këtyre përmasave është i parinë llojin e tij në futbollin shqiptar. (A2 Televizion)