
Edhe pse e quajti joetike të komentonte për çështjet e brendshme politike në një konferencë për mediat, ku po flitej për progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, kryeministri Edi Rama la të kuptohej se është i gatshëm të diskutojë me opozitën propozimet për ndryshimet kushtetuese të bëra prej saj.
“Kemi dhënë disponim total për t’i diskutuar në mënyrë serioze në procesin e dialogut që sipas meje duhet të ushqehet me vullnet të mirë mes palëve, dhe për këtë arsye do të më ndjeni që të mos jap opinione përpara se sa t’i japim këtij dialogu një shans real dhe të kemi mundësinë të ballafaqojmë opinionet tona me palën tjetër, duke pasur vullnetin e mirë të dëgjojmë, dhe duke kërkuar të dëgjohemi. Në fund të fundit, cilësia e një bashkëjetese në çdo instancë, nuk përcaktohet nga sa shpesh biem dakord, por nga mënyra se si nuk biem dakord. Dëshiroj t’i japim një shans të plotë dialogut. Opozita ka bërë 3 propozime, mund të bëjë edhe më shumë. Ne kemi detyrën që t’i japim mundësi këtyre propozimeve që të diskutohen”, tha Rama.
Një ditë më parë, PD-ja publikoi tre propozime për amendime kushtetuese, sa i përket reformës zgjedhore, reformës territoriale, si edhe nisjen e vetingut në politikë. (A2 Televizion)