
Demokratët u mblodhën para godinës së Parlamentit për të protestuar për çështjen “McGonigal” si dhe përjashtimin e 8 deputetëve të PD nga seanca plenare ashtu siç ishte paralajmëruar ditë më parë nga Sali Berisha.
Protestuesit i ndoqën punimet e Kuvendit me anë të një monitori të vendosur jashtë. Protestuesit u përplasën me efektivët e policisë në përpjekje për të çarë kordonin që ishte krijuar për të parandaluar turmën.
Ata hodhën drejt policisë tymuese, shashka dhe gurë. Deputetët e PD të përjashtuar nga Kuvendi tentuan të shkojnë në sallën e kuvendit, por nuk u lejuan.
Rikthimi i tyre mes protestuesve solli sërish tensione. Pasi u mbyll kuvendi, Berisha iu drejtua protestuesve.
“Edi Rama i damkosur me skandalin McGonigal kishte bindur zonjat e PS-së në parlament se akuzat e mia dhe se skandali McGionigal nuk kishte në epiqendër Edi Ramën, por disa afera, aksesore në pabet dhe klubet e Tiranës. Po kishte turp më të madh se sa të protestonin për deklarata unë i kam bërë në konferencë shtypi, takim me gazetarë dhe të shpreheshin sikur ishte secila prej tyre e akuzuar. Tani ky reagim kolektiv i zonjave socialiste ishte miza pas veshit. Atëherë, unë do të hetoj edhe dhjetë herë më shumë për t’i shkuar deri në fund edhe kësaj piste, krejtësisht tretësore. Problemi kryesor, ‘Rama-McGonigal gate’ është Edi Rama, nuk janë aksesorët, ngjarjet terciare në pabet e Tiranës. Populli do të flasë”, tha Berisha.
Në protestë i pranishëm ishte edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. “Parlamenti është ‘house of representative’, shtëpia e përfaqësuesve të popullit. Ne përfaqësojmë të paktën 750 mijë vota. Kanë tmerr nga opozita. Ky nuk është më Parlamenti i qytetarëve shqiptarë. Është kthyer në një zyrë noteriale, të një kryeministri të kapur në flagrancë duke bërë aktet më të rënda kundër pluralizmit të Shqipërisë. Sepse e vërteta është që policët tanë paguhen më keq se gjithë policët në rajonin tonë. Ndërkohë që shefat e tyre janë tërë ditën në dreka dhe darka me trafikantët e drogës. Mësuesit tanë janë më të keqpaguarit në rajon. Një mësues në Shqipëri merr 4200 euro në vit, ndërsa në Mal të Zi merr 9000 euro në vit.”
Pritet që demokratë të mblidhen sërish të enjten para kuvendit për të protestuar. (A2 Televizion)