
Lista Serbe dhe stafi serb i gjyqësorit pezulluan punën në institucionet e Kosovës. Bojkoti i tyre do të vazhdojë deri në kthimin e Liliana Stevanoviç në postin e saj si kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës e pezulloi atë pasi mori pjesë në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Ne pezullojmë punën tonë në institucione derisa Stefanoviç të kthehet në punë. Zoti Kurti e ka prishur marrëveshjen. Zoti Bislimi e ka prishur marrëveshjen. Nuk frikësohemi as nga policia, as nga ROSU, ne do të qëndrojmë në vendin tonë”, deklaroi Goran Rakiç, kryetar i listës serbe.
Qëndrimi i tij erdhi pas protestës së Serbëve në Mitrovicën e Veriut dhe në Graçanicë, kundër vendimit të qeverisë Kurti për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë edhe në Kosovë.
Nënkryetari i Listës Serbe dhe njëkohësisht kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiç, tha se mesazhi kryesor i manifestimit ishte të ndalej dhuna institucionale ndaj serbëve. Pjesëmarrësit në protesta mbanin në duar pankarta me mbishkrime të tilla: “Me paqe kundër dhunës së Kurtit”, “I besojmë vetëm presidentit Vuçiç, “Kurti shkatërrove marrëveshjen e Brukselit, shkatërrove gjithçka” e të tjera.
Pjesëmarrës ishin politikanë serbë, deputetë të Kuvendit të Kosovës, anëtarë të qeverisë, kryetarë komunash, si dhe përfaqësues të Listës serbe. Radio Evropa e Lirë raporton se punonjësit e institucioneve të financuara nga Serbia janë detyruar të marrin pjesë në protesta.
Shefat e misioneve të Bashkimit Europian, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë dhe SHBA-ve janë shprehur të shqetësuar lidhur me rrezikun e përshkallëzimit apo dhunës në organizime të tilla. Ata i bënë thirrje Kosovës dhe Serbia të përmbahen nga retorika apo vendimet që rrisin tensionet.
Vucic pretendoi se Kurti po përgatitet të sulmojë serbët, duke theksuar se pas gjykatëses, pritet që të shkarkojë edhe të gjithë komandantët dhe policët serbë që morën pjesë në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë. (A2 Televizion)