
Shoferët e xhindosur janë përballur me aktivistët e klimës në qendër të Romës, pasi këta të fundit bllokuan rrugët kryesore të kalimit të makinave të enjten, duke shkaktuar kaos në trafik pranë Koloseut.
Debatet mes njerëzve që donin të shkonin në punë dhe të rinjve nga grupimi “Brezi i fundit”, u ndërprenë vetëm pas ndërhyrjes së policisë, që arriti të pastronte rrugën dhe të largonte protestuesit, disa prej të cilëve edhe u arrestuan.
Grupimi është pjesë e një rrjeti të gjerë aktivistësh që protestojnë përmes mosbindjes civile në disa shtete përveç Italisë, si Britania e Madhe, Kanadaja, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.
Në mars, aktivistët nga grupimi italian hodhën bojë portokalli mbi muret e “Palazzo Vecchio”, një godinë monument kulture në Firence, për të protestuar ndaj mungesës së përpjekjes botërore për të luftuar ngrohjen globale. Ndërsa vitin e kaluar, aktivistët hodhën bojë në teatrin e operas “La Scala” në Milano si dhe bllokuan tunelin në Malin e Bardhë, në bashkëpunim me “kolegët” e tyre francezë. (A2 Televizion)