
Opozita do të protestojë sërish nesër para parlamentit, ndërsa deputetet demokratë do të tentojnë të bllokojnë punimet e seancës siç edhe kanë premtuar. Ndërkaq, në 3 mars është njoftuar një tjetër protestë kombëtare pas asaj të 11 shkurtit. Parlamenti vijon me përjashtimet e deputeteve demokratë që bllokojnë foltoren. Kryeministri ndërkaq ka premtuar se do të shkojë në interpelancë për çështjen e ish-agjentit të FBI, por ende nuk është caktuar një datë.
Për këto zhvillime foli në Debat nga Alba Alishani deputeti i Partisë Socialiste Arben Pëllumbi. Ai u shpreh se protestat e opozitës vijnë më shumë si pasojë e probleme të brendshme në partinë më të madhe opozitare.
“E para, duhet të kuptojmë se pse po ndodhin këto situata. Protestat mund të ndodhin, por me paragjykim të thotë do të bllokojë seancën, sigurisht që ky nuk është një element demokracie dhe nuk është një element që i çon diku. Ka ndodhur që seanca të caktuara janë tentuar të bllokohen duke gjetur si pretekst një çështje të rregullores. Kjo është një strategjie e tyre, për të cilën nuk e di se ku do t’i çojë, por që nuk ka të bëjë me raportet që pozitë-opozitë.
Unë e shoh këtë më shumë që ka bëjë më situatën e brendshme të Partisë Demokratike. Ka të bëjë me faktin që ne kemi përpara një fushatë elektorale për të cilën mesa duket opozita shqiptare është pothuajse fare e papërgatitur. Në vend që të përballet me ne, me programe, me punë të realizuara, me projekte, megjithatë në fushën e betejës nuk është fare për të thënë se çfarë kemi bërë apo jo ne në këto 4 vite”, tha Pëllumbi. (A2 Televizion)